Nga Vendi
25 March 2026
Ali Ahmeti kujton Epopenë e Dukagjinit, thirrje për ruajtjen e amanetit të dëshmorëve

Në përvjetorin e 28-të të Epopesë së Dukagjinit, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar ngjarjen historike në Gllogjan, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të lavdishme të luftës për liri.

Ahmeti është shprehur se, “përulemi me nderim të thellë këtu në Gllogjan, në këtë vend të shenjtë të historisë sonë kombëtare, për të kujtuar një nga momentet më të lavdishme të luftës për liri”.

Ai ka rikujtuar se 28 vite më parë u rrethua familja e Hilmi Haradinajt, ndërsa bijtë e kësaj familjeje, Ramush, Daut, Shkëlzen dhe Enver Haradinaj, së bashku me fisin e tyre, zgjodhën rezistencën si rrugë të vetme përballë forcave serbe.

Në mesazhin e tij, Ahmeti ka theksuar edhe sakrificën e mëhershme të familjes Haradinaj, duke përmendur rënien e Luan Haradinajt në vitin 1997, në përpjekje për t’i dalë në ndihmë Adem Jasharit, si dhe kontributin e luftëtarëve të tjerë të UÇK-së që më vonë ranë dëshmorë gjatë luftës së viteve 1998-99.

Sipas tij, sakrifica e dëshmorëve nuk ishte vetëm për çlirimin e territorit, por për dinjitetin dhe të ardhmen e popullit shqiptar, ndërsa ka bërë thirrje për ruajtjen e amanetit të tyre dhe forcimin e lirisë.

“Duke i përkujtuar, ne nuk bëjmë vetëm një akt nderimi, por edhe një zotim, që amanetin e tyre ta ruajmë, që lirinë ta forcojmë dhe që të ardhmen ta ndërtojmë mbi vlerat për të cilat ata ranë”, ka deklaruar Ahmeti.



Të ndryshme
Më shumë
83 raste të reja me Kovid-19, katër viktima dhe 146 të shëruar 5 October 2020
PDSH konfirmon mbështetjen për Ramiz Merkon në Strugë28 October 2021
Zeqirija Ibrahimi: BESA e Bilall Kasamit filial i partisë maqedonase26 October 2021