Ish-shefi ekzekutiv i Google, Matt Brittin, është konfirmuar si drejtori i ri i përgjithshëm i BBC duke zëvendësuar Tim Davie-n i cili dha dorëheqjen pas polemikave mbi redaktimin e një fjalimi të presidentit amerikan Donald Trump.
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, tha se Brittin “sjell një përvojë të thellë në drejtimin e një organizate të njohur dhe shumë komplekse gjatë proceseve transformuese”.
Brittin, 57 vjeç, tha se “mezi pret të fillojë këtë punë”, duke e përshkruar si “një moment me rrezik real, por edhe me mundësi reale”. Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për “një BBC të fuqishme që funksionon për të gjithë në një botë komplekse, të pasigurt dhe që ndryshon shpejt”.
Ai gjithashtu theksoi se “BBC ka nevojë për ritmin dhe energjinë për të qenë aty ku janë historitë dhe aty ku janë audiencat. Për të ndërtuar mbi shtrirjen, besimin dhe fuqinë krijuese të sotme, për t’u përballur me sfidat me guxim dhe për të lulëzuar si një shërbim publik i përshtatshëm për të ardhmen”.
Mark Thompson, ish-drejtor i përgjithshëm i BBC-së dhe aktualisht CEO i CNN, tha se Brittin “sjell aftësi dhe përvoja që asnjë drejtor i mëparshëm nuk i ka pasur dhe është vërtet i përkushtuar ndaj interesit publik dhe strategjik”.
Emërimi i Brittin vjen në një moment kritik ndërsa qeveria britanike po rishikon kartën mbretërore të BBC-së dhe sfidat e modelit të saj të financimit dhe kuadrit operativ.