Irani ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj çdo përpjekjeje për ndërhyrje në ishullin strategjik Kharg, një pikë kyçe për eksportet e naftës, duke sinjalizuar rritje të tensioneve në rajon.
Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se çdo tentativë për të marrë nën kontroll ishullin do të pasohet me sulme ndaj infrastrukturës jetike të vendeve që mund të përfshihen. Ai theksoi se çdo përpjekje për pushtim do të marrë përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër nga Teherani.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur raportimet flasin për plane të mundshme që lidhen me ishullin Kharg, ndërsa tensionet mes Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të rriten.
Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump ka përmendur mundësinë e negociatave për paqe, por paralelisht është raportuar për shtim të pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, duke përfshirë dislokimin e trupave shtesë.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se çdo ndërhyrje ushtarake mund të çojë në hapjen e fronteve të reja, duke përfshirë edhe zona të rëndësishme detare, çka rrit shqetësimet për një përshkallëzim më të gjerë të situatës.