Nga Rajoni
26 March 2026
Kushtetuesja pezullon dekretin, 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit në Kosovë

Vendimi i fundit i Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rikthyer balancën institucionale në vend, duke e shpallur pa efekt juridik dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Me këtë aktgjykim, institucioni më i lartë kushtetues i ka dhënë Kuvendit një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Çështja arriti në Kushtetuese pasi dekreti i Osmanit, i nxjerrë më 6 mars, u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, duke çuar në pezullimin e përkohshëm të veprimeve institucionale deri në vendimin përfundimtar më 25 mars.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se vendimi stabilizon rendin kushtetues, por nuk zgjidh krizën politike. Sipas analistit Vullnet Bugaqku, interpretimi i Gjykatës është bërë në kontekstin e situatës aktuale, duke theksuar se “interpretimi kushtetues dhe juridik i këtij dekreti është bërë kryesisht në kontekstin e ngërçit politik aktual”.

Ndërkaq, profesori Rrahman Paçarizi shprehet më kritik, duke thënë se “ka qenë një përpjekje që edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”, duke lënë të kuptohet se vendimi synon balancim më shumë sesa zgjidhje.

Megjithëse aktgjykimi i jep kohë institucioneve për të gjetur një zgjidhje, mungesa e konsensusit politik mes partive e bën të pasigurt përfundimin e procesit brenda afatit të përcaktuar. Analistët vlerësojnë se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa vendimi i Kushtetueses pritet të përdoret nga partitë për qëllime politike.

Burimi: Bekim Bislimi, Radio Evropa e Lirë



Të ndryshme
Më shumë
Gjendet trupi i një djali të mitur në Lumin Vardar17 August 2021
Ia vendosi reciprocitetin, Daçiq: Nuk e di nëse Kurti është i çmendur apo po e bën këtë me përkrahjen e dikujt23 September 2021
Pesë viktima dhe 119 raste të reja me Covid-19, shërohen 297 pacientë26 August 2020