Parlamenti Evropian ka miratuar një paketë të re masash për migracionin, që synojnë forcimin e politikave të deportimit dhe krijimin e qendrave të kthimit jashtë territorit të Bashkimit Evropian.
Sipas planit, migrantët pa dokumente ose ata që u refuzohet azili mund të dërgohen jo vetëm në vendet e origjinës, por edhe në vende të treta, ku pritet të ngrihen të ashtuquajturat “return hubs”, kryesisht në Afrikë. Masa parashikon gjithashtu qëndrimin në qendra ndalimi deri në dy vjet dhe ndalime afatgjata hyrjeje për ata që refuzojnë largimin.
Vendimi u miratua me 389 vota pro, 206 kundër dhe 32 abstenime, me mbështetjen e forcave të djathta dhe të ekstremit të djathtë, ndërsa grupet e majta dhe të qendrës votuan kundër.
Disa shtete anëtare si Gjermania, Greqia, Holanda, Austria dhe Danimarka kanë nisur tashmë negociata me vende pritëse për këto qendra.
Eurodeputeti Charlie Weimers e cilësoi vendimin si një kthesë të madhe në politikën migratore, duke deklaruar se “epoka e deportimeve ka filluar”.
Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër, duke paralajmëruar për pasoja serioze ndaj refugjatëve. Marta Welander e quajti vendimin “një prapakthim historik për të drejtat e refugjatëve”, duke theksuar rrezikun e krijimit të një sistemi më ndëshkues për azilkërkuesit.
Masat e reja vijnë në një kohë kur BE përballet me rritje të migracionit të parregullt dhe sfida në zbatimin e politikave aktuale.