Moderatorja e “Top Story”, Grida Duma, ka ngritur shqetësimin për rënien e interesit të qytetarëve ndaj politikës në Shqipëri, duke e cilësuar këtë fenomen si një proces të qëllimshëm.
Në podkastin e saj “Për’flasim”, ajo theksoi se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk ndjek më zhvillimet politike dhe nuk beson se vota apo angazhimi i tyre sjell ndryshim real.
“Shoqëria po bëhet apolitike me qëllim diabolik. Shqiptarët po e përçmojnë politikën shqiptare dhe nga kjo nuk është që po humbin politikanët, por humb Shqipëria”, u shpreh Duma.
Sipas saj, kjo gjendje është rezultat i një strategjie të qëllimshme që ka larguar qytetarët nga vendimmarrja dhe debatet publike, duke i bërë ata indiferentë ndaj proceseve demokratike.
Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e komunikimit të sinqertë nga politika, duke theksuar se premtimet e pambajtura kanë çuar në humbjen e besimit qytetar.
“Ka rënë besa e fjalës. Njerëzit mendojnë se çfarëdo që të bëjnë, asgjë nuk ndryshon në jetët e tyre”, deklaroi ajo.
Duma u ndal edhe te diskutimet për referendumin e mundshëm mbi ndryshimin e numrit të deputetëve, duke kërkuar më shumë transparencë dhe debat publik për çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Burimi: Top Channel