Seanca gjyqësore në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të pandehurve të tjerë është shtyrë për në datën 3 prill, ora 09:00, pas mungesave dhe debatit procedural në sallë.
Veliaj nuk ishte i pranishëm, por sipas gjykatës, ai ka deklaruar se “dëshiroj të përfaqësohem nga avokati i tij Plarent Ndreca, i cili është i pranishëm”. Në seancë munguan edhe disa të pandehur të tjerë, përfshirë Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka, të cilat u përfaqësuan nga mbrojtësit e tyre, ndërsa i pranishëm ishte vetëm Elman Abule.
Mungesa e të pandehurit Fatjon Baci dhe e avokatit të tij krijoi debat në sallë, duke detyruar gjykatën të caktojë një mbrojtëse tjetër, Pranvera Doci, dhe të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të tij në seancën e radhës.
Gjatë diskutimeve, prokurori i SPAK, Ols Dado u shpreh se “po shohim që po ndjekin një strategji për të shtyrë procesin”, ndërsa avokati Sokol Hazizaj kërkoi ndarjen e çështjes për klientin e tij, duke theksuar se “kërkesa është në funksion të ekonomisë gjyqësore dhe ligjit”.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Veliajt kundërshtoi qëndrimin e prokurorisë, duke deklaruar se “kushtetuta përmend procesin e rregullt ligjor dhe çdo vendim duhet të respektojë të drejtat e të pandehurve”.
Shtyrja e seancës sjell edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për personat që janë nën masa sigurie.