Nga Bota
2 April 2026
Artemis II nis udhëtimin historik drejt Hënës

Misioni Artemis II i NASA-s është nisur më 2 prill nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, duke çuar anijen kozmike Orion drejt orbitës së Hënës. Raketa Space Launch System u ngrit nga Platforma 39B pas një përgatitjeje të kujdesshme teknike, ku ekipi përballi dhe zgjidhi disa probleme të vogla. Specialistët riparuan sistemin e sigurisë që mundëson shkatërrimin e raketës në rast devijimi nga trajektorja, një komponent kyç për nisjen. Më pas u zgjidh edhe një problem i sensorëve të baterisë dhe i pajisjeve të komunikimit të Sistemit të Ndërprerjes së Lëshimit, duke garantuar funksionimin e plotë të të gjitha sistemeve.

Edhe pse Artemis II nuk do të ulë astronautët në Hënë, ky mision ka një rëndësi të veçantë, pasi është testi i parë me pilot i të gjitha sistemeve të Orion përfshirë navigacionin, komunikimin dhe mbështetjen e jetës. Ky test do të mundësojë që NASA të përgatitet për misionet e ardhshme me ekuipazhe drejt Hënës.

Ekuipazhi përbëhet nga komandanti amerikan Reid Wiseman 50 vjeç, piloti amerikan Victor Glover 49 vjeç, specialistja amerikane Christina Koch 47 vjeç dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen 50 vjeç. Ky ekip do të shënojë rekorde të rëndësishme historike. Hansen do të bëhet kanadezi i parë që orbitojnë Hënën, Glover afrikano-amerikani i parë dhe Koch gruaja e parë që do të shohë anën e largët të Hënës.

Gjatë udhëtimit nëntë-ditor, ekuipazhi do të arrijë mbi 400,000 kilometra nga Toka, duke kaluar një distancë nga planeti ynë që askush nuk e ka arritur më parë, dhe më shumë se 7,600 kilometra larg Hënës. Ky mision është një hap i madh drejt kthimit të njerëzimit në Hënë dhe përgatit rrugën për eksplorime të ardhshme dhe sfida të reja hapësinore.

NASA shprehet se Artemis II është një fazë vendimtare për të testuar teknologjitë që do të mbështesin njerëzit në misionet e ardhshme në Hënë, duke krijuar një bazë për udhëtime më të gjata dhe më sfiduese hapësinore.



Të ndryshme
Më shumë
Sot protestohet në Tiranë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë17 October 2025
Nedellkov: Digjitalizimi është punë e mirë, por librat nuk duhet të ndalohen për përdorim13 October 2021
Njëra deputete, tjetra këngëtare, i gjeni dot kush janë? 2 September 2021