Nga Vendi
3 April 2026
Përplasje politike për eurointegrimet, opozita akuzon për sabotim të procesit

Debati për eurointegrimet në Maqedoninë e Veriut është përshkallëzuar mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski se vendi mund të presë edhe me dekada nëse nuk sigurohen garanci për ndryshimet kushtetuese.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i është drejtuar me letër Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke ngritur shqetësimin për rrjedhën e procesit integrues. Ndërkohë, Andrej Zhernovski nga LSDM akuzoi kryeministrin për bllokim të qëllimshëm të integrimit në BE.

Ai deklaroi se Mickoski ka mashtruar opinionin publik për arritje të pretenduara me Brukselin, duke thënë se nuk ekziston asnjë marrëveshje për kornizë të re negociuese apo për shtyrje të afateve të ndryshimeve kushtetuese, duke shtuar se premtimet për anëtarësim të shpejtë janë të pabazuara.

Në reagimin e saj, VMRO-DPMNE i hodhi poshtë akuzat, duke e cilësuar LSDM-në si forcë antishtetërore dhe duke rikujtuar marrëveshjet e nënshkruara gjatë qeverisjes së tyre me Bullgarinë. Sipas kësaj partie, këto marrëveshje sollën bllokada dhe kërkesa shtesë për vendin.

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se nuk do të lejojnë cenimin e identitetit maqedonas dhe kërkojnë garanci për të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari, si kusht për avancimin e mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, pala bullgare mbetet e palëkundur në kërkesën për ndryshime kushtetuese, të cilat tashmë janë pjesë e kornizës negociuese me BE-në, duke e mbajtur procesin e integrimit në një ngërç të vazhdueshëm.

Burimi: ALSAT



Të ndryshme
Më shumë
Radhë në vendkalimet kufitare Tabanoc dhe Bllacë27 June 2020
Kurti paralajmëroi reciprocitet ndaj Serbisë, Vuçiq: Nuk mund të bëjmë asgjë15 September 2021
Ermal’s Art, Galeria e parë shqiptare online që promovon artin bashkëkohor16 January 2026