Pas një periudhe të gjatë ngecjeje, kanë rifilluar punimet për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, një projekt me rëndësi të madhe strategjike për stabilitetin energjetik dhe bashkëpunimin rajonal.
Vendosja e gurthemelit shënon rikthimin në terren të një investimi që është pjesë e Korridorit 8 Pan-evropian dhe synon lidhjen direkte të sistemeve elektroenergjetike të dy vendeve, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe shkëmbimin ndërkufitar të energjisë.
Drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke deklaruar se nuk bëhet fjalë vetëm për një infrastrukturë teknike, por për një urë bashkëpunimi mes dy vendeve, duke shtuar se sistemet energjetike mund të plotësojnë njëra-tjetrën dhe të krijojnë sinergji rajonale.
Ai rikujtoi se projekti ishte i bllokuar për vite me radhë, duke shtuar se, sipas tij, për katër vite realizimi nuk kishte kaluar as 4 për qind, ndërsa pas identifikimit të pengesave dhe eliminimit të barrierave administrative, projekti është rikthyer në fazën e ndërtimit.
Ministri i energjetikës i Shqipërisë, Enea Karakaçi, e cilësoi projektin si një investim në sigurinë dhe integrimin evropian, ndërsa përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Nupnau Ben, theksoi se lidhjet energjetike ndërkufitare janë kyçe për stabilitetin energjetik të rajonit dhe vetë BE-së.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i BERZH-it, Fatih Turkmenoglu, bëri të ditur se institucioni ka mbështetur projektin me një kredi prej 37 milionë euro dhe një grant shtesë prej 12 milionë euro, duke e cilësuar atë si një urë të re energjetike mes rajonit dhe Evropës.
Ministrja e energjetikës, Sanja Bozhinovska, u shpreh se kjo linjë do të jetë bazë për zhvillimin afatgjatë të sektorit energjetik, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se me këtë projekt vendi do të lidhet për herë të parë plotësisht me sistemet energjetike të fqinjëve, duke garantuar më shumë siguri për qytetarët dhe stabilitet për ekonominë.