Bashkimi Europian do të vendosë plotësisht në funksion nga 10 prilli 2026 sistemin e ri të hyrje-daljeve, i njohur si EES, duke ndryshuar ndjeshëm mënyrën e kalimit të kufijve për shtetasit jashtë BE-së.
Ky sistem zëvendëson vulat tradicionale në pasaportë me regjistrime digjitale, duke përfshirë të dhëna biometrike si fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, si dhe informacionet e dokumentit të udhëtimit. Qëllimi kryesor është modernizimi i kontrollit kufitar dhe rritja e sigurisë.
Sipas Komisionit Europian, që nga fillimi i zbatimit gradual, mbi 24 mijë persona janë refuzuar në kufi për shkak të dokumenteve të parregullta ose mungesës së justifikimit për udhëtim, ndërsa mbi 600 janë identifikuar si rrezik për sigurinë.
Sistemi zbatohet për udhëtarët nga vendet jashtë BE-së dhe zonës Shengen që qëndrojnë deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, duke përfshirë edhe ata që nuk kanë nevojë për vizë. Ndërkohë, Irlanda dhe Qiproja do të vazhdojnë me kontrollin manual të pasaportave.
Autoritetet paralajmërojnë se gjatë muajve të parë mund të ketë vonesa të konsiderueshme në aeroporte, me pritje që në disa raste mund të arrijnë deri në dy orë. Për këtë arsye, udhëtarëve u rekomandohet të paraqiten më herët në aeroport, të paktën 1.5 deri në 2 orë përpara nisjes.
Regjistrimi në sistem kryhet në kufi, ndërsa në disa vende ofrohet edhe mundësia e një regjistrimi paraprak përmes një aplikacioni zyrtar të BE-së, që synon të përshpejtojë procedurat.