Nga Vendi
7 April 2026
Fazliu: Mohimi i gjuhës rrezikon stabilitetin e shtetit, elitat shqiptare kanë tradhtuar barazinë

Bekim Fazliu nga Lëvizja Arbëria ka publikuar një analizë kritike mbi pozitën e gjuhës shqipe dhe rolin e elitave politike në Maqedoninë e Veriut, duke ngritur shqetësime për, siç thekson ai, cenimin e barazisë dhe qëndrueshmërisë së shtetit.

Sipas Fazliut, një shtet që nuk ua njeh gjuhën bashkëqytetarëve autoktonë, që përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë, nuk është vetëm i padrejtë, por edhe i paqëndrueshëm në themel. Ai e cilëson këtë situatë si “një konstrukcion të brishtë, me legjitimitet të cunguar”, duke shtuar se mohimi i gjuhës përbën “refuzim të vetë realitetit” dhe, sipas tij, “shtete që mohojnë realitetin nuk i mbijetojnë historisë”.

Në analizë, ai ngre pyetje mbi përgjegjësinë e elitave politike shqiptare pas vitit 2001, duke vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit nuk ka prodhuar barazi reale. “Barazia nuk dështoi, u tradhtua”, thekson Fazliu, duke akuzuar se ajo është përdorur si “monedhë këmbimi për pushtet, poste dhe privilegje”.

Ai shton se përfaqësuesit politikë shqiptarë janë bërë pjesë e sistemit që duhej të ndryshonin, ndërsa qytetarët kanë mbajtur barrën e padrejtësisë. Sipas tij, kur përfaqësuesit kthehen në pjesë të problemit, padrejtësia institucionalizohet dhe beteja zhvillohet edhe brenda vetë shoqërisë.

Fazliu kritikon gjithashtu reagimet e elitave ndaj nismave studentore dhe qytetare, duke pretenduar se ato synojnë delegjitimimin e tyre për shkak të humbjes së privilegjeve. Ai bën thirrje që këto iniciativa të mbeten të pavarura nga, siç i quan ai, “matrapazët” politikë.

Në fund, ai thekson se edhe Shqipëria dhe Kosova mbajnë përgjegjësi për mbështetjen e elitave në vend të parimeve, duke shtuar se kjo ka ndikuar në thellimin e situatës aktuale.



Të ndryshme
Më shumë
Mësohet paga e majme që Xherdan Shaqiri do e fitojë te Lyoni24 August 2021
“Mos i njihni talibanët”, Gazetarja shpërthen në lot në konferencë dhe i lutet NATO-s18 August 2021
Filipçe: Qytetarët duhet të jenë të qetë, vaksinat tashmë janë shpërndarë 1 July 2021