Në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER) është publikuar propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, duke synuar përmirësimin e sistemit dhe rritjen e mundësive për shpëtimin e jetëve.
Ndryshimet e propozuara parashohin zgjerimin e rrethit të personave që mund të jenë dhurues të gjallë të organeve, si dhe thjeshtësimin e procedurave administrative. Një nga risitë kryesore është mundësia që çdo qytetar, përmes një deklarate te mjeku i tij amë, të regjistrohet si donator potencial i organeve pas vdekjes.
Ministri Aliu thekson se “nga zbatimi i deritanishëm i ligjit ka dalë nevoja për të bërë ndryshime dhe plotësime në drejtim të zgjerimit të rrethit të personave që mund të jenë dhurues të gjallë të organeve, thjeshtësimit dhe ndryshimit të procedurave administrative, si dhe mundësimit që çdo qytetar, përmes një deklarate te mjeku i tij amë, të përcaktohet si donator potencial i organeve pas vdekjes”.
Sipas tij, qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë parësor, sistemi të bëhet më transparent dhe më i besueshëm, ndërsa vendimmarrja të mbetet te individi.
Propozimi përfshin gjithashtu krijimin e një liste kombëtare të donatorëve, e cila do të menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Sistemit Kombëtar për Evidenca Elektronike në Shëndetësi, si dhe disa rregullime të tjera administrativo-teknike.
Ky hap konsiderohet si një përpjekje për të rritur vetëdijen publike mbi rëndësinë e dhurimit të organeve, si një akt human që mund të shpëtojë jetë.