Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar nisjen e një hetimi lidhur me dokumentin që shërbeu si bazë për procedimin penal ndaj tij, duke pretenduar se bëhet fjalë për një kallëzim të ndërtuar mbi identitet të rremë.
Sipas kallëzimit të depozituar në Prokurorinë e Tiranës, procedimi penal nr. 27/2024 është iniciuar mbi një dokument të firmosur nga një person i vetëquajtur “Nesti Angoni”, i cili, sipas verifikimeve, nuk figuron në regjistrat e gjendjes civile. Në dokument thuhet se “nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim, por me një simulim të një kallëzuesi real, me qëllim krijimin e një besueshmërie artificiale”.
Veliaj ngre shqetësimin se, pavarësisht standardeve të shpallura nga SPAK për pranimin e kallëzimeve, në këtë rast është devijuar nga procedurat, duke u trajtuar si kallëzim penal një material me formë informacioni dhe me identitet të pavërtetë.
Në kallëzim përmendet edhe një rast i dytë i ngjashëm, me emrin “Nasta Pellumbi”, çka sipas argumentimit ngre dyshime për një burim të përbashkët ose një mekanizëm të organizuar për krijimin e kallëzimeve të tilla.
Në përfundim, Veliaj kërkon hetim të plotë për falsifikim dokumentesh, identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave që çuan në nisjen e procedimit penal ndaj tij, duke theksuar se rasti ka edhe pasoja institucionale përtej aspektit individual.