LSDM ka dorëzuar në Kuvend interpelancë ndaj ministrit të Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, duke ngritur akuza për korrupsion dhe keqmenaxhim në sektorin bujqësor.
Nga kjo parti pretendohet se gjatë mandatit të ministrit janë evidentuar raste të rënda, përfshirë arrestime të zyrtarëve për ryshfet dhe dëmtim të interesit publik. Sipas LSDM-së, situata është rënduar edhe nga humbja e besimit në menaxhimin e fondeve evropiane.
“Skandali mega korruptiv me fondet evropiane shkaktoi turpin më të madh në nivel të Bashkimit Evropian. Nga vendi më i suksesshëm në shfrytëzimin e mjeteve evropiane, u bëmë vend me 128 milion euro të suspenduara nga IPARD. U ulën subvencionet e duhanit nga 100 në 80 denarë, për blegtorinë nga 12,000 në 8000 denarë. Tripunovski shfuqizoi pagesën e avansit të subvencioneve, masë që e shfrytëzonin 60 mijë bujq”, deklaroi Lupço Nikollovski nga LSDM.
Nga ana tjetër, ministri Tripunovski ka reaguar ndaj interpelancës, duke e cilësuar atë të pabazuar dhe politikisht të motivuar. Ai theksoi se iniciativa e Nikollovskit është jo legjitime, njësoj si, sipas tij, edhe pozicioni i tij brenda LSDM-së.
Debati pritet të vazhdojë në Kuvend, ndërsa kjo çështje ka rikthyer në fokus menaxhimin e bujqësisë dhe përdorimin e fondeve evropiane në vend.