Nga Vendi
18 April 2026
Defekt në mamografinë e Shtipit, shërbimi zhvendoset në Koçan për gratë e rajonit lindor

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se për shkak të një defekti në aparatin e mamografisë në Spitalin Klinik të Shtipit, është organizuar një zgjidhje e përkohshme për të siguruar vazhdimësinë e ekzaminimeve për gratë nga rajoni lindor.

Sipas marrëveshjes mes Spitalit Klinik të Shtipit dhe Spitalit të Përgjithshëm të Koçanit, mamografitë do të realizohen në Koçan, ndërsa interpretimi i rezultateve do të bëhet nga ekipi mjekësor në Shtip. Po ashtu, rastet që kërkojnë ekzaminim shtesë me eko të gjirit do të referohen në Shtip.

Drejtori i Spitalit Klinik të Shtipit, Vladko Zahariev, tha se po bëhen përpjekje për sigurimin e një aparati të ri, pasi pajisja ekzistuese nuk mund të riparohet. Ndërkohë, drejtoresha e Spitalit të Koçanit, Katerina Mirçovska, theksoi se janë shtuar terminet dhe është vendosur një ndërrim i dytë për të përballuar kërkesat.

Sipas institucioneve shëndetësore, rreth 100 paciente në muaj pritet të përfitojnë nga ky organizim i ri, ndërsa për qytetet e tjera të rajonit janë parashikuar ditë të veçanta për kontrolle.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, u shpreh se institucionet janë mobilizuar për të siguruar shërbim të pandërprerë, duke e cilësuar këtë zgjidhje si të përkohshme dhe të domosdoshme në kushte emergjente.



Të ndryshme
Më shumë
SHBA planifikon t’i dërgojë Izraelit 40 mijë bomba në një marrëveshje armësh prej 2.8 miliardë dollarësh16 September 2026
Çka i ndodh trupit kur dikush na thyen zemrën?18 March 2022
Një fatkeqësi e madhe u shmang dje në Ohër, pasi një motoskaf u përfshi nga flakët 1 July 2025