Ish-kryetari i Komunës së Strugës nga radhët e BDI-së, Ramiz Merko, ka reaguar ashpër ndaj partisë së tij të mëparshme, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në trajtimin e ish-funksionarëve që përballen me procese gjyqësore.
Përmes një postimi në Facebook, Merko ka thënë se BDI nuk e ka mbështetur atë në rastet kur është përballur me kallëzime penale, ndërsa sipas tij, tani po mbron figura të tjera si deputetin Blerim Bexheti dhe ish-kryetarin e Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Ai shkruan, “Pse unë, Ramiz Merko nuk u mbrojt nga pushteti, ndërsa dy kryetarë po mbrohen nga opozita, pse ky standard i dyfishtë”, duke theksuar se për vite me radhë ka qenë aktiv në jetën politike dhe ka kontribuar në rezultate elektorale.
Merko shton se në rastin e tij nuk ka pasur mbështetje institucionale apo partiake, ndonëse proceset ndaj tij, sipas tij, janë perceptuar si të motivuara politikisht. Ai thekson se akuzat ndaj tij lidhen me çështje administrative dhe vendimmarrje institucionale, e jo me korrupsion të provuar.
Në reagimin e tij, ai kritikon edhe dallimet në qasjen ndaj figurave të ndryshme politike, duke përmendur se për disa raste reagimet janë më të zbutura, ndërsa për të tjerë mungon mbështetja.
Në fund, Merko shprehet se qëndron në mbështetje të ish-funksionarëve që, sipas tij, përballen me presion politik, duke theksuar se “drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të jetë e njëjtë për të gjithë”.