Nga Rajoni
1 May 2026
BE ngrin fondet për Serbinë, kushtëzon financimin me reforma në drejtësi

Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë mbështetjen financiare për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes, duke e lidhur zhbllokimin e fondeve me përparim konkret në reformën në drejtësi. Lajmi u bë i ditur nga komisionerja për zgjerim, Marta Kos, e cila theksoi se pagesat do të mbeten të ngrira deri në adresimin e mangësive në sistemin gjyqësor.

Sipas saj, BE ka ndalur aktualisht të gjitha fondet për shkak të problemeve serioze në funksionimin e drejtësisë, duke nënvizuar se pa reforma të mirëfillta nuk mund të ketë mbështetje financiare. Vendimi vjen në një moment kur në Bruksel janë shtuar debatet për ecurinë e Serbisë në procesin e integrimit evropian.

Ndër shqetësimet kryesore përmenden ndryshimet ligjore të miratuara në fillim të vitit 2026, të cilat sipas ekspertëve rrisin ndikimin e pushtetit ekzekutiv mbi gjyqësorin dhe rrezikojnë pavarësinë e prokurorisë, duke penguar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po ashtu, kritikat lidhen edhe me proceset demokratike, përfshirë parregullsitë gjatë zgjedhjeve lokale, si dhe presionet ndaj mediave dhe shoqërisë civile. Një tjetër pikë përplasjeje mbetet qëndrimi i Beogradit ndaj sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm serb, Marko Đurić, deklaroi se vendi do të vijojë përgatitjet për anëtarësim, por shtoi se Serbia nuk do të lutet për t’u bërë pjesë e Unionit.

Ekspertët ekonomikë paralajmërojnë se pezullimi i fondeve, përfshirë edhe një paketë të mundshme prej rreth 1.5 miliardë eurosh, mund të ndikojë ndjeshëm në projektet infrastrukturore dhe tranzicionin energjetik të vendit.

Vendimi pritet të mbetet në fuqi deri në vlerësimin përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe deri kur autoritetet serbe të dëshmojnë përparim të prekshëm në sundimin e ligjit, duke u interpretuar si një mesazh i qartë për të gjitha vendet kandidate se reformat duhet të jenë reale dhe të matshme.



Të ndryshme
Më shumë
Ziadin Sela në Alstory: Nga student në Tiranë, te sfidat politike në Shkup22 June 2025
Deri në fund të muajit dihen drejtuesit e gjitha institucionet10 September 2020
Fiset shqiptare dhe veçoritë e tyre 18 August 2021