Debati politik rreth projektit të linjës interkonektive Maqedoni–Shqipëri është intensifikuar, pasi BDI për të tretën ditë me radhë ka kërkuar përgjigje nga drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, lidhur me pretendimet për një dëm financiar prej rreth 6 milionë eurosh.
BDI ka ngritur dyshime edhe për procedurat e përzgjedhjes së kompanive, duke përmendur lidhjen e një kontrate me një subjekt nga Banja Luka dhe duke kërkuar sqarime mbi transparencën dhe interesin publik. “BDI vlerëson se Burim Latifi ka për obligim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të shpjegojë pse është prishur kontrata me kompaninë e parë dhe mbi çfarë baze është lidhur kontrata e re”, thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, MEPSO ka hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se procedurat janë zhvilluar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rregullat e BERZH. Sipas këtij institucioni, përzgjedhja është bërë mbi bazën e referencave dhe performancës së kompanive, pa ndikime subjektive. “Në kuadër të procedurës së re, kompania kroate Dalekovod d.d. përfaqëson një garanci për realizimin e suksesshëm të projektit”, thuhet nga MEPSO.
Në debat është përfshirë edhe koalicioni VLEN, i cili ka akuzuar BDI-në për kontradikta, duke theksuar se vetë përfaqësues të kësaj partie më herët kanë kërkuar ndërprerjen e kontratës për shkak të realizimit minimal të projektit. Sipas VLEN-it, projekti ka pasur vetëm rreth 4 për qind realizim për disa vite dhe ka sjellë kosto të konsiderueshme për shtetin.
“Pavarësisht kësaj, BDI sot përpiqet të krijojë panik me shifra dhe konstrukte”, deklaron VLEN, duke shtuar se përgjigjet për çështjen çojnë te vendimmarrjet e mëhershme të vetë kësaj partie.