Nga Rajoni
2 May 2026
Haxhiu në Studime, 116 civilë u vranë më 2 maj 1999, kërkohet drejtësi për krimet e luftës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në Akademinë Përkujtimore për 27-vjetorin e Masakrës së Studimes në Vushtrri, ku më 2 maj 1999 u vranë 116 civilë shqiptarë.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se brenda vetëm dy orëve në atë ditë tragjike u ndërpre jeta e fëmijëve, grave, burrave dhe të moshuarve, të cilët po largoheshin nga zonat e rrethuara në një kolonë të të dëbuarve.

“116 civilë shqiptarë: fëmijë, të rinj, gra, burra e pleq. Njerëz të paarmatosur… rruga e tyre u ndërpre nga forcat serbe”, u shpreh ajo, duke theksuar se shteti serb kishte përdorur aparatin e tij ushtarak dhe policor si “makineri të spastrimit etnik”.

Ajo shtoi se pas masakrës, dhuna dhe vuajtjet nuk u ndalën, duke përmendur edhe ndarjen e burrave, torturat në burgun e Smrekonicës dhe dëbimin e familjeve drejt Shqipërisë.

Sipas Haxhiut, masakra e Studimes ishte pjesë e një “projekti gjenocidal” që përfshinte edhe krime të tjera në vende si Nabërgjani, Bukoshi, Meja, Krusha dhe Izbica.

“Njerëz të pafajshëm u vranë sepse ishin shqiptarë… sot jetojmë në Republikën e Kosovës sepse ai projekt ka dështuar”, tha ajo.

Haxhiu theksoi se shteti i Kosovës do të jetë pranë familjeve të viktimave jo vetëm në përvjetorë, por edhe në proceset e drejtësisë, duke kërkuar që kriminelët e luftës të mos mbeten të pandëshkuar.

Në përmbyllje, ajo nderoi të gjitha viktimat e luftës në Kosovë, duke theksuar se kujtimi i tyre është themel i lirisë dhe shtetit.



Të ndryshme
Më shumë
Adelina Ismaili shkëlqen me buzët e kuqe 4 October 2021
Të shtëna me armë zjarri para selisë së një partie, thirret në polici banori nga Gostivari19 October 2021
Haki Abazi dorëzon kallëzim penal ndaj Albin Kurtit në Prokurorinë Speciale 9 September 2026