Nga Vendi
6 May 2026
Limani: Investimi në fëmijë, themel i zhvillimit ekonomik dhe kapitalit njerëzor

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, ka deklaruar se investimi në fëmijët përbën bazën e kapitalit njerëzor dhe një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, raporton ora24.tv.

Ai theksoi se ky lloj investimi ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe në zhvillimin ekonomik afatgjatë, ndërsa vlerësoi se, pavarësisht progresit të viteve të fundit, përfshirë uljen e varfërisë së fëmijëve dhe miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve për periudhën 2025 2029, vendi ende përballet me sfida të rëndësishme sociale.

Sipas tij, Qeveria ka ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve, përfshirë rritjen prej 15 për qind të shtesave për fëmijë dhe programe të tjera mbështetëse sociale.

Limani ngriti gjithashtu shqetësimin se gratë mbajnë barrën kryesore të kujdesit për fëmijët, ndërsa kufizimet në shërbime dhe sistemi i mbështetjes financiare shpesh krijojnë dilema mes punësimit dhe përfitimeve sociale.

“Kur punësimi nënkupton humbje të menjëhershme të të drejtave sociale, sistemi krijon pengesa në vend që të ofrojë nxitje, duke thelluar ciklin e varfërisë,” deklaroi Limani.

Ai bëri të ditur se po shqyrtohet vendosja e një shtese universale për çdo fëmijë, si dhe zgjerimi i mbështetjes ekzistuese, duke u bazuar në modele që kanë dhënë rezultate pozitive në uljen e varfërisë dhe rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës.

Në fund, ministri theksoi se ky proces kërkon bashkëpunim të fortë ndërinstitucional dhe se çdo politikë duhet të ketë si qëllim përmirësimin real të jetës së fëmijëve dhe familjeve.



Të ndryshme
Më shumë
10 mite rreth trupit tonë që duhen demantuar 8 July 2021
Ursula von der Leyen: Kosova të forcojë institucionet dhe të ulë tensionet15 October 2025
Anglezi gjen një “shishe të shtrigave” të shekullit XIX – përmbante flokë, urinë dhe një dhëmb njerëzor 6 July 2021