Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Pirro Vengu, ka vlerësuar angazhimin e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar takimin me ta si një moment që rikthen besimin tek e ardhmja, shkruan KOHA.
Vengu ka theksuar se studentët shqiptarë nga tre universitetet e Tetovës po dëshmojnë dinjitet, kurajë dhe qytetari përmes reagimeve të tyre lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore.
“Takimi me studentët shqiptarë të tre universiteteve të Tetovës ishte një moment që të rikthen besimin tek e ardhmja. Plot dinjitet, kurajë dhe qytetari ata ngrenë zërin prej muajsh, jo vetëm për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke e kthyer kauzën e tyre në një çështje të madhe të drejtash europiane për gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, është shprehur Vengu. Ai ka nënvizuar se kërkesa e studentëve tashmë ka kaluar kufijtë e një çështjeje teknike dhe është shndërruar në një kauzë që lidhet me standardet europiane dhe respektimin e të drejtave themelore.
“Një brez që di të mbrojë identitetin dhe dinjitetin e vet me maturi e vizion meriton gjithë mbështetjen tonë”, ka deklaruar deputeti shqiptar.
Reagimi i Vengut vjen në kohën kur studentët shqiptarë të Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protestën e dytë lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore.