Pas fitores mbi "sojin me ideologji të vjetërsuar", brenda BDI-së nuk erdhi koha e ndryshimit të premtuar, por e luftës me bërryla për epërsi. Menjëherë pas ngadhënjimit u zgjuan instinktet e luftës brenda llojit, duke harruar qëllimet fillestare të betejës politike, e cila ishte nisur me premtimin se do t'u krijoheshin hapësira gjeneratave të reja.
E pamoralshmja e gjithë kësaj ndodhi kur, përmes motos "votuesi i heshtur", filluan të zëvendësohen aktivistët e vërtetë me prurje "servile", duke i emëruar në pozita të larta vetëm për faktin se premtimet e bashkëpunimit ishin të pakufizuara. Kongresi i jashtëzakonshëm, i organizuar në emër të bashkimit, shërbeu si fasadë, pasi eliminoi pikërisht ata delegatë që kishin sjellë deri te bashkimi dhe fitorja e madhe.
Sot "vlon" pakënaqësia në të gjitha hapësirat dhe, sipas Limanit, kjo pakënaqësi ditë pas dite do të shpërthejë deri në masën e shfrenimit të pakontrolluar. Arsyeja është e qartë: "lufta" e dikurshme kundër sojit të vjetër përfundoi paradoksalisht me rikthimin e dështakëve, hajdutëve dhe të skaduarve politikë, të gjithë të strehuar nën hijen e siglës së "ndryshimit të madh".
Ata që trumbetonin, "Nuk kemi vërejtje dhe kundërshti ndaj udhëheqësit të BDI-së, por akuzat drejtohen te bashkëpunëtorët që janë në krahun e tij", sot rezultojnë se nuk e kishin me "sojin" që e rrethonte liderin, pasi i morën të gjithë në emër të "votuesit të heshtur-trembur", duke i paraqitur si të shpëlarë nga mëkatet e keqpërdorimeve, deri në masën e përvetësimit të të gjitha vlerave materiale e çnjerëzore.
Limani ngre edhe pyetjen provokuese nëse bashkimi i "plenit me VLEN-in" është i arsyeshëm, apo ndjehet i nevojshëm "pllenimi në kohë pranvere që të mbijë më mirë fara e re". Teksti mbyllet me një vërejtje të ashpër: "Arritëm edhe kohën e ndryshimit të çerdheve, duke u klasifikuar soji me sojin, lloji me llojin, fisi me fisin, pisi me pisin."