Nga Rajoni
21 May 2026
Kosova rrezikon të humbasë mbi 250 milionë euro nga Plani i Rritjes

Ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë përfituar nga kesti i tretë i Planit të Rritjes të BE-së me një shumë të përbashkët prej afër 160 milionë eurosh, Kosova ndodhet para rrezikut të humbjes së një pjese të konsiderueshme të fondeve të dedikuara për të.

Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova nuk ka dorëzuar ende kërkesën për pagesë nga ky plan, ndërsa burime nga institucioni evropian paralajmërojnë se "pas skadimit të afateve për 13 hapat në reforma më 30 qershor të këtij viti, Kosova rrezikon të humbasë mjete nëse nuk bën progres në zbatimin e Agjendës së Reformave." Vlera e mjeteve për të cilat kushtet duhet të zbatohen deri më 30 qershor arrin mbi 90,8 milionë euro.

Situata rëndohet edhe më shumë kur merret parasysh se vetëm gjashtë muaj më vonë skadon një afat tjetër, i lidhur me 27 hapa të tjerë reformash, me vlerë prej afro 165,9 milionë eurosh. Kjo do të thotë se deri në fund të vitit 2025, Kosova mund të humbasë gjithsej 256,7 milionë euro.

Humbja e një pjese të madhe të këtyre fondeve duket e pashmangshme, pasi disa nga kushtet e kërkuara përfshijnë vendimmarrje parlamentare. Vështirë se Kosova mund ta konstituojë Kuvendin para fundit të qershorit, duke e bërë humbjen e atyre mjeteve pothuajse të sigurt. Komisioni Evropian ka tërhequr vërejtjen në mënyrë të përsëritur që nga fundi i vitit 2024 se "problemet e brendshme politike në vendet e rajonit mund të kenë pasoja edhe në përdorimin e mjeteve nga Plani i Rritjes."

Për krahasim, Shqipëria tashmë ka përfituar mbi 200 milionë euro nga ky plan, ndërsa Bosnja e Hercegovina mbetet i vetmi vend që nuk ka marrë asnjë euro, për shkak të mosplotësimit të kushteve.



Të ndryshme
Më shumë
Bekim Jashari sulmon Vetëvendosjen: Janë bërë bashkë me PDK-në, heshtën para manipulimeve në zgjedhje21 October 2021
SHBA bllokon asetet e Bankës Qendrore të Afganistanit18 August 2021
“Gjeta 12 meshkuj lakuriq në mes të natës”, moderatorja shqiptare habit me rrëfimin 9 July 2021