Të hënën në Kuvend do të mbahet dëgjesa publike për Ligjin për përfaqësim të drejtë, ku ekspertë dhe përfaqësues të ndryshëm pritet të paraqesin qëndrimet e tyre para se projektligji të hyjë në procedurën plenare.
Analisti politik Petar Arsovski vlerëson se ligji i ri paraqet një zgjidhje më të avancuar krahasuar me mekanizmin e mëparshëm të njohur si “Balanceri”, duke theksuar se ai ruan parimin e përfaqësimit të balancuar, por vendos profesionalizmin dhe meritokracinë në plan të parë.
“Me ligjin e ri, obligimi për pranim të balancuar në administratën publike mbetet, por ndryshojnë kushtet e zbatimit. Në këtë kuptim, është zgjidhje më e mirë sepse e vendos meritokracinë para balancimit etnik. Në rast se kandidatët janë me pikë të afërta, përparësi ka profesionalizmi”, deklaroi Arsovski.
Ai shtoi se ligji do të ishte më i pranueshëm po të miratohej me një shumicë më të gjerë Badenteri, por theksoi se edhe forma aktuale e miratimit nuk e bën atë një zgjidhje të gabuar. “Debati politik rreth ligjit më shumë sillet rreth mbështetjes politike sesa përmbajtjes së tij. Ideale do të ishte të kalonte me shumicë të gjerë Badenteri, por edhe kështu është më mirë se zgjidhja e mëparshme”, tha ai.
Ndërkohë, partitë shqiptare në opozitë kundërshtojnë projektligjin dhe mënyrën e miratimit të tij, duke argumentuar se mund të cenohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe konsensusi ndëretnik.
Projektligji ka kaluar edhe vlerësimin e Komisionit të Venecias, i cili thekson se kualifikimet, profesionalizmi dhe kompetenca duhet të mbeten kriteret kryesore për punësim, ndërsa përkatësia etnike mund të merret parasysh vetëm si kriter dytësor në rast të barazisë mes kandidatëve.
Ligji parashikon gjithashtu verifikime më të detajuara të përkatësisë etnike për të shmangur keqpërdorimet, si dhe sanksione për deklarime të rreme dhe përgjegjësi për institucionet që nuk e zbatojnë atë. Zbatimi do të monitorohet nga një trup i posaçëm koordinues.