Kryeministri i Maqedonisë së Veriut deklaroi se investimi i ri i kompanisë "Javo Otomotiv" është "dëshmi se Maqedonia ka një perspektivë të qartë dhe të parashikueshme ekonomike", duke e cilësuar këtë si një mesazh të rëndësishëm për çdo punëtor, inxhinier, teknik dhe sipërmarrës në vend.
Kompania "Javo Otomotiv", një kompani multinacionale me më shumë se katër dekada përvojë në industrinë automobilistike, do të realizojë investimin e saj të ri në ZHTI Tetovë, ku është planifikuar të transferohet i gjithë prodhimi nga Turqia dhe Sllovakia. Kompania është e njohur si prodhuese e sistemeve të sigurisë, kabllove të kontrollit dhe mekanizmave për prodhuesit më të mëdhenj botërorë të sektorit automobilistik.
Investimi do të fillojë me marrjen me qira të një objekti ekzistues prej 8.000 metrash katrorë, ndërsa kapacitetet parashikohet të zgjerohen deri në 21.000 metra katrorë deri në vitin 2028. Në periudhën 2026–2030, kompania planifikon të investojë rreth 20-21 milionë euro, me një ndikim të konsiderueshëm në eksport, i cili pritet të arrijë në 45 milionë euro në vit.
Kryeministri theksoi se "kur një kompani e huaj merr vendim që një pjesë të prodhimit të saj ta zhvendosë pikërisht këtu, kjo do të thotë se ka njohur siguri, parashikueshmëri dhe një perspektivë të qartë ekonomike", duke shtuar se "po ndërtojmë një ekonomi që mbështetet në prodhim, investime, eksport dhe rritje reale ekonomike."