Kuvendi Themelues i VLEN-it u mbajt sot, ku bashkryetari Izet Mexhiti riafirmoi drejtimin politik dhe vizionin për një përfaqësim që "matet me rezultate, punë dhe zhvillim për qytetarët". Në fjalimin e tij, ai theksoi se "pas shumë kohësh, shqiptarët po marrin hisen që u takon", duke renditur një sërë investimesh të mëdha që po realizohen në zonat shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, mbi 40 milionë euro po investohen në kampusin e Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup, 74 milionë euro janë planifikuar për Spitalin e Tetovës, ndërsa mbi 200 milionë euro po shkojnë për autostradën Shkup–Bllacë. Krahas këtyre, rreth 100 milionë euro po realizohen përmes projekteve zhvillimore në komunat shqiptare, duke përfshirë shkolla, çerdhe, rrugë lokale, ujësjellës dhe infrastrukturë të tjera. Mexhiti nënvizoi se "përfaqësimi i vërtetë nuk matet me numrin e funksioneve, por me universitetet që ndërtohen, spitalet që modernizohen, rrugët që lidhin qytetet tona dhe investimet që arrijnë aty ku kanë munguar për vite të tëra". Ai kritikoi qeverisjet e mëparshme duke thënë se "pushteti u trajtua si privilegj, ndërsa nevojat reale të njerëzve mbetën në plan të dytë", duke shtuar se sot vendimet nuk merren më "në zyra të mbyllura dhe në tavolina të fshehta". Fjalimi u mbyll me premtimin se VLEN-i do të vazhdojë të fuqizojë komunat, sepse "zhvillimi fillon aty ku jetojnë qytetarët".