Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka propozuar masën paraburgim ndaj të dyshuarit kryesor për djegien e veturave të Ambasadës së Bullgarisë, i cili tashmë është privuar nga liria, transmeton Portalb.mk. Sipas Prokurorisë, është zbatuar procedurë kundër një shkupjani 44 vjeçar, i dyshuar se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut, sipas nenit 288 të Kodit Penal, pasi më 15 qershor ka rrezikuar pronën dhe jetën e njerëzve. Prokuroria sqaroi se i dyshuari, pasi është larguar nga shtëpia, përmes autobusit ka shkuar në Qendër, ndërsa në një pompë benzine afër ambasadës e ka mbushur shishen e plastikës me benzinë, për të vazhduar pastaj drejt vendit të krimit. Ministria e Punëve të Brendshme më 15 qershor ka arrestuar 44 vjeçarin nga Shkupi, ndërsa është gjetur edhe veshja që ai kishte veshur në momentin e kryerjes së veprës. MPB-ja, në koordinim me prokurorin publik, po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit. Në faqen zyrtare të MPB-së është publikuar një video ku shihet autori duke djegur dy automjetet, e më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Incidenti ndodh në një periudhë të ndjeshme të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ndërsa nuk është rasti i parë i këtij lloji ndaj Ambasadës Bullgare, pasi më 11 janar 2026 dera hyrëse e ambasadës ishte dëmtuar nga një person i panjohur, i cili më pas u identifikua dhe u arrestua, ndërsa rasti u trajtua si vandalizëm ndaj misionit diplomatik.