Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, u shpreh sot se procesi i vettingut ishte i domosdoshëm për krijimin e besimit qytetar tek drejtësia, ndërsa theksoi se standardet e arritura nga ky proces duhet të mbrohen. Braho foli në një konferencë ku u trajtua bilanci i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. "Vettingu ndikoi në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë, besimi i qytetarëve tek drejtësia nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale, standardet e vettingut reflektohen dhe në punën e përditshme, gjyqtarët dhe prokurorët tashmë kanë kaluar në filtra të sigurt, që qytetarët të krijojnë besim tek drejtësia", deklaroi kreu i SPAK. Ai falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces historik, duke theksuar rolin e veçantë që vettingu pati për institucionin që drejton. "Tashmë drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm e me paanshmëri, institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi tashmë kanë pjekurinë e duhur, tani duhet që të ruajmë standardet që kemi arritur", u shpreh Braho. Në të njëjtën konferencë foli edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i cili vlerësoi se vettingu ka patur ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Sipas tij, organet e rivlerësimit kanë kryer një punë të suksesshme në verifikimin e integritetit dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke larguar nga sistemi ata që nuk i përmbushnin standardet e kërkuara, çka e bën sot drejtësinë më të besueshme dhe më cilësore krahasuar me periudhën para reformës së vitit 2016.