Nga Rajoni
17 June 2026
Gazi amerikan, Hoti: Refuzimi i projektit është alarm për të ardhmen e Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka cilësuar si shqetësuese situatën rreth refuzimit të projektit të gazit amerikan, duke e quajtur këtë zhvillim një sinjal alarmi për të ardhmen e vendit. Hoti ka theksuar se energjia përbën çështje të sigurisë kombëtare dhe ka kujtuar se Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira të saj. "Ky nuk është më vetëm një debat për energjinë, ky është një alarm për të ardhmen e Kosovës", ka thënë ai. Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së ka shtuar se heshtja ndaj paralajmërimeve të ardhura nga Uashingtoni nuk mund të konsiderohet përgjegjësi. "Kur partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na paralajmërojnë se po rrezikojmë të mbetemi jashtë projekteve të mëdha energjetike, të humbasim investime dhe të dobësojmë lidhjen tonë me aleatin më të madh, atëherë heshtja nuk është përgjegjësi", ka thënë Hoti. Ai ka vazhduar duke thënë se për vite me radhë SHBA-ja ka qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira, ndërsa sot, në vend që të shfrytëzohet një mundësi për zhvillim, siguri energjetike dhe ekonomi më të fortë, vërehet një qasje që po e largon Kosovën nga miqtë e saj. Hoti ka theksuar se qytetarët duhet ta kuptojnë se energjia është siguri kombëtare, investimet janë vende pune, ndërsa raporti me SHBA-në është themel i shtetit. "Nuk mund të lejojmë që politika e një njeriu apo e një qeverie ta vërë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada, koha është të zgjohemi, të kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejojmë që Kosova të largohet nga rruga e saj euro-atlantike, çdo qeveri duhet ta kuptojë: miqësia me Amerikën nuk është kartë politike, është interes jetik i Kosovës", ka shkruar Hoti.

/Klankosova.tv



Të ndryshme
Më shumë
Rritja e çmimit të rrymës për amvisëritë, flet ministri Bekteshi... 14 October 2021
Vjosa Osmani pret Admiralin amerikan George M. Wikoff: Kosova, partner i përkushtuar për paqe dhe siguri13 January 2026
Xhavit Haliti: S’është dashtë me lanë Adem Jasharin n’shpi, askush s’e ka ditur çfarë do të ndodh17 August 2021