Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin Botëror Future Investment Initiative (FII), në një bashkëbisedim me Eleni Giokos, prezantuese dhe korrespondente e CNN, ku pati një përplasje të ashpër me gazetaren rreth projektit në Zvërnec dhe protestave në Tiranë.
Giokos e pyeti kryeministrin se si do ta ndryshojë mesazhin e qeverisë në mënyrë që të rezonojë me protestuesit dhe të sigurohet që Komisioni Europian të mbetet në anën e tij, duke përmendur paralajmërimet e Brukselit për respektimin e rregullave mjedisore.
Rama iu përgjigj se shumica e popullit shqiptar e do projektin, duke shtuar se qyteti ku do të zhvillohet ai është, sipas tij, në një shumicë të madhe, në pritje të tij dhe se nuk ka protesta. Ai theksoi se komuniteti ku do të ngrihet projekti e dëshiron atë, duke u shprehur, "ajo që shihni ju nuk është saktësisht ajo që po ndodh". Ai pranoi se zemërimi ekziston, por shtoi se kur ai të zbehet, dhe kur t'i dërgojë CNN-it një ftesë të veçantë për inaugurimin, "të gjithë do të jenë të lumtur", duke e cilësuar këtë si një mundësi për CNN-in "që të rehabilitohet".
Tensioni u rrit kur Rama iu drejtua gazetares me një ton më të prerë, duke i thënë se e ka mësuar në mënyrën e vështirë se CNN nuk është një burim objektiv, dhe duke shtuar se fakti që ajo është greke e bën të ndihet i detyruar të mos hyjë në atë temë. Ai vijoi duke renditur faktet rreth çështjes, sipas tij: toka është blerë nga investitorë privatë, është duke u zhvilluar një vlerësim i ndikimit në mjedis, dhe ende nuk është miratuar asnjë projekt apo dhënë leje ndërtimi, duke konkluduar se nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë "ndonjë ambientalist që mendon drejt".
Kryeministri mbylli duke u shprehur se Shqipëria do të ecë përpara, ndërsa paralajmëroi se nëse rrjetet sociale vazhdojnë të funksionojnë pa kufizim, "Europa do të shembet nga brenda", dhe atëherë, sipas tij, "edhe mburojat kundër raketave dhe predhave nuk do të vlejnë, sepse nuk do të ketë më asgjë për të mbrojtur".
Burimi: Top Channel