Nga Rajoni
19 June 2026
Fluturimi i parë direkt Toronto–Tiranë, moment historik për marrëdhëniet shqiptaro-kanadeze

Sot u krye fluturimi i parë direkt mes Torontos dhe Tiranës, një ngjarje që shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Sipas njoftimit të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada, ky lajm përbën një arritje të shumëpritur, sidomos për komunitetin e madh shqiptar që jeton në vendin amerikano-verior.

Ambasada bën të ditur se realizimi i kësaj linje është fryt i një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet institucioneve diplomatike shqiptare, autoriteteve të të dy vendeve dhe kompanisë ajrore Air Transat, e cila u përfshi në mënyrë të veçantë në këtë proces.

Në njoftim theksohet se kjo lidhje e re ajrore shkon përtej thjeshtimit të udhëtimeve, pasi forcon lidhjet me diasporën shqiptare në Kanada, nxit zhvillimin e turizmit dhe krijon mundësi shtesë për bashkëpunim në fushat ekonomike, kulturore dhe akademike mes dy popujve.

Ambasada e përshëndet këtë moment si një urë të re që afron edhe më shumë Shqipërinë me Kanadanë, duke uruar mirëseardhjen për të gjithë pasagjerët e fluturimit historik Toronto–Tiranë.



Të ndryshme
Më shumë
Buçkovski: OBRM-PDUKM bëri dëm serioz si në Maqedoni ashtu edhe në Bullgari 8 July 2021
Përparim Bajrami dhe të dyshuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm në rastin “Lotaria Shtetërore”18 September 2026
Shtabi i Krizës ndërkomunal dha rekomandime për rajonin e Gostivarit24 August 2021