Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas shfuqizimit të vendimit për emërtimin e rrugëve në Tetovë, duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj identitetit dhe dinjitetit të shqiptarëve në komunën ku, sipas tyre, mbi 70 për qind e banorëve janë shqiptarë. Sipas BDI-së, rikthimi i emërtimeve nga periudha komuniste është pasojë e mosveprimit të VLEN-it, i cili, siç thuhet në reagim, ka pasur më shumë se një vit kohë për të mbrojtur vendimin në mënyrë institucionale. BDI thekson se kërkesa për shfuqizimin e vendimit ishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese që në mars të vitit 2025, ndërsa akuzon VLEN-in se nuk ndërmori asnjë hap juridik apo politik për ta mbrojtur atë. "VLEN nuk mund të ikë nga përgjegjësia. Tetovën e qeverisin prej pesë vitesh", thuhet në reagim. Më tej, BDI e cilëson të pabazuar pretendimin e VLEN-it se vendimi për emërtimin e rrugëve nuk kishte hyrë në fuqi, duke shtuar se një argument i tillë bie ndesh me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. "Sa më shumë flasin, aq më e qartë bëhet se nuk kanë as argumente juridike dhe as përgjigje politike për dështimin e tyre", theksohet në reagim. Në fund, BDI kërkon përgjegjësi politike dhe shtron pyetjen se si u lejua që emra si "Iliria", "Dervish Cara" dhe "Kongresi i Manastirit" të zëvendësohen me emërtime që, sipas saj, nuk pasqyrojnë identitetin dhe historinë e shqiptarëve. "Koha e arsyetimeve ka përfunduar. Ka ardhur koha e përgjegjësisë", përfundon reagimi.