Deputetët kanë miratuar Kodin për Sjellje Etike në Kuvend, një dokument që përcakton parimet dhe standardet bazë të sjelljes së tyre, me synimin për të përmirësuar kulturën e dialogut dhe respektin e ndërsjellë në institucionin ligjvënës.
Nga organizata Societas Civilis e kanë përshëndetur miratimin e kodit, duke theksuar se mospajtimet politike janë të natyrshme, por ato duhet të zhvillohen mbi bazën e argumenteve dhe respektit. Sipas Aleksandra Jovevskës, "Kuvendi është institucion ku pritet që debati të jetë i ashpër dhe intensiv, por të zhvillohet në kuadër të një kulture të mirë etike dhe respektimit politik të bashkëbiseduesit."
Sipas analizave të organizatës, rreth dy të tretat e qytetarëve vlerësojnë se deputetët përdorin fjalë degraduese dhe gjuhë të urrejtjes gjatë debateve parlamentare. Jovevska theksoi se shpesh deputetët ndërpresin njëri-tjetrin, bërtasin, përdorin kualifikime personale dhe në të kaluarën janë regjistruar edhe incidente fizike dhe ndërprerje të seancave.
Kodi i ri synon të avancojë kulturën e dialogut parlamentar, të forcojë sjelljen dinjitoze, si dhe të kontribuojë në parandalimin e konfliktit të interesit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të funksionit publik. Deputetët do të nënshkruajnë një deklaratë me të cilën zotohen se do t'i respektojnë parimet e përcaktuara në këtë kod.