Rasti i Endrit Nikës, i dënuar me 18 vjet burg nga shkalla e parë për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, Maria Clara, ka kaluar në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, pasi as mbrojtja dhe as pala e dëmtuar nuk u pajtuan me aktgjykimin e shkallës së parë. Avokati i Nikës, Tomë Gashi, kërkoi ndryshimin e aktgjykimit, duke deklaruar se klienti i tij nuk e pranon fajësinë dhe se nuk ka qenë i kënaqur me mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor që nga fillimi. Ai njoftoi gjithashtu se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj pronarit të hotelit dhe djalit të tij, me pretendimin se objekti ku ndodhi rasti ishte i regjistruar si ndërtesë për banim kolektiv dhe jo si hotel, madje kjo, sipas tij, është bërë 14 muaj pas ngjarjes. Në anën tjetër, mbrojtja e familjes së Maria Clarës kërkon dënim me burgim të përjetshëm për Nikën. Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë të gjitha pretendimet e palëve përpara se të marrë vendimin përfundimtar. Sipas aktakuzës, Maria Clara u vra më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me Endrit Nikën. Prokuroria pretendon se ai fillimisht e kishte goditur dhe më pas e kishte hedhur nga dritarja e dhomës në katin e gjashtë të hotelit ku po qëndronin.