Vajza e Heroit të Kombit, Tahir Sinani, ka reaguar me tone të ashpra pas publikimit të një letre nga Taulant Balla, ku, sipas saj, luftëtarët e UÇK-së janë cilësuar si "mercenarë". Ajo shprehet se në krye të listës ndodhet emri i babait të saj, duke e cilësuar këtë si një fyerje të rëndë ndaj figurës dhe sakrificës së tij. "Njeriu që sakrifikoi çdo gjë për çështjen kombëtare, çlirimtari i tre luftërave. Sot Taulant Balla përdhos dhe fyen emrin dhe gjakun e babait tim. Taulant Balla urgjentisht duhet të kërkosh falje publike. Sot ti ma vrave për së dyti babën", shkruan ajo. Më tej, ajo thekson se Tahir Sinani ra dëshmor për lirinë e trojeve shqiptare dhe jo për interesa politike, duke shtuar se figura e tij njihet dhe respektohet nga mbarë shqiptaria. Në reagimin e saj nuk mungojnë as kritikat ndaj Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Ajo kërkon që organizata të mbrojë të drejtat e veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe vlerat e luftës, duke e akuzuar se po merret me politikë. Sipas saj, nëse nuk i shërben këtij misioni, drejtuesit duhet të largohen dhe organizata të drejtohet nga persona që, siç shprehet ajo, "ia dinë vlerën luftës dhe gjakut të dëshmorëve". Ajo e mbyll reagimin duke theksuar se është e rëndë që pas afro 25 vitesh nga rënia dëshmor e babait të saj, familja të përjetojë një poshtërim të tillë.