Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Administrata Doganore Shqiptare dhe Administrata Doganore e Maqedonisë së Veriut përmes hartimit të një Protokolli të ri që synon zbatimin e Marrëveshjes Ndërqeveritare për Kontrollet e Përbashkëta Kufitare. Dokumenti ka për qëllim rritjen e efikasitetit të kontrolleve doganore, lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e menaxhimit të kufirit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe procesin e integrimit rajonal. Gjatë vizitës në pikën kufitare Qafë Thanë–Qafasan, delegacionet e dy administratave të kryesuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare Besmir Beja dhe Drejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut Boban Nikolovski, së bashku me përfaqësues të OSBE, diskutuan zbatimin praktik të marrëveshjes dhe finalizimin e Protokollit të ri. Beja theksoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve është shembull i partneritetit që sjell përfitime për qytetarët dhe biznesin, ndërsa Nikolovski vlerësoi se protokolli do të ulë kohën e pritjes në kufi dhe do të rrisë flukset tregtare. OSBE e cilësoi këtë nismë si hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe sigurisë rajonale, duke e konsideruar vazhdimësi të suksesshme të menaxhimit të integruar të kufirit.