Fatmir Bytyqi ka reaguar ndaj deklaratave se partia u ka dhënë gjithçka anëtarëve të saj, duke theksuar se një qasje e tillë bie ndesh me parimet demokratike dhe socialdemokrate. Ai vlerëson se asnjë parti nuk mund të ekzistojë apo të ndërtojë reputacion pa kontributin e njerëzve që e mbështesin. Sipas Bytyqit, "partia nuk guxon të jetë kult ndaj strukturës, por hapësirë në të cilën njeriu mbrohet nga poshtërimi", ndërsa shton se socialdemokracia "nuk ka qenë kurrë ideologji e mirënjohjes ndaj liderëve, por e përgjegjësisë ndaj qytetarëve". Ai thekson se reputacioni i një partie ndërtohet nga mijëra anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë, të cilët kanë kontribuar në fitore, fushata dhe periudha të vështira, shpesh pa kërkuar përfitime personale. Sipas tij, funksionet nuk janë dhuratë, por besim që duhet fituar dhe arsyetuar çdo ditë, ndërsa mandati buron nga qytetarët dhe jo nga partia. Bytyqi paralajmëron se partitë dobësohen kur besojnë se anëtarët ekzistojnë për hir të tyre dhe jo e kundërta. "Partitë e forta nuk kanë frikë nga personalitetet e forta", shkruan ai, duke shtuar se njerëzit me integritet dhe qëndrim e forcojnë organizatën politike. Në përfundim, Bytyqi nënvizon se "partia nuk guxon kurrë të harrojë kujt ia detyron ekzistencën e saj", duke theksuar se partitë mund të ndryshojnë ose të zhduken, por vlerat mbeten dhe mbahen gjallë nga njerëzit me dinjitet.