Nga Vendi
13 July 2026
BDI: Ndryshimet qeveritare nuk janë reformë, por pranim i dështimit të VLEN-it

BDI ka kritikuar ashpër ndryshimet e paralajmëruara në përbërjen e Qeverisë, duke vlerësuar se ato nuk përfaqësojnë një rifreskim të ekzekutivit, por vetëm një riorganizim të dështimeve dhe një konfirmim se interesat politike po vendosen mbi interesin e qytetarëve. Nga kjo parti theksojnë se largimi i ministrit të Shëndetësisë nuk është rezultat i përmbushjes së objektivave, por, siç shprehen, “pranim i dështimit të plotë”, pasi nuk është realizuar asnjë nga premtimet kryesore të dhëna gjatë fushatës zgjedhore. BDI rikujton se VLEN kishte premtuar ndërtimin e gjashtë spitaleve rajonale, Qendrën Klinike Universitare në Tetovë, kontrolle shëndetësore falas, qendra urgjence me autoambulanca në komunat shqiptare dhe një qendër për trajtimin e plagëve dhe djegieve, ndërsa shton se asnjë prej këtyre zotimeve nuk është bërë realitet. Partia ngre gjithashtu pyetje lidhur me investimin e paralajmëruar prej 74 milionë eurosh për Spitalin Klinik në Tetovë dhe parkun memorial për spitalin modular, duke kërkuar përgjigje se ku kanë mbetur këto projekte. BDI ka kundërshtuar edhe emërimin e Ivan Stoilkoviqit në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, duke theksuar se ai, si ministër i deritanishëm për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, lejoi zvogëlimin e buxhetit të kësaj ministrie dhe se tani do të jetë përgjegjës edhe për komunat që drejtohen nga Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti. Kritika janë adresuar edhe ndaj kandidatit për ministër të Drejtësisë, për të cilin BDI pretendon se ka mbështetur ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si një ligj pa kuota etnike, pa mekanizma zbatimi dhe pa sanksione për institucionet që diskriminojnë. Në përfundim, BDI vlerëson se ndryshimet e propozuara nuk sjellin një qeveri më të mirë, por dëshmojnë, sipas saj, se VLEN ka braktisur premtimet ndaj shqiptarëve, ndërsa rithekson se do të vazhdojë të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe interesin e qytetarëve.



Të ndryshme
Më shumë
Tension në Kuvendin e Kosovës, PDK ende e pavendosur për seancën e presidentit27 April 2026
Përplasje në Kuvend, LSDM kërkon shkarkimin e ministrit të Bujqësisë18 April 2026
Flet mërgimtari që postoi foton i rrethuar me para: Punoj në një firmë për ngarkim shkarkim të materialeve, kisha mbi 5 mijë euro në foto30 July 2021