Reforma zgjedhore në Maqedoninë e Veriut mbetet e bllokuar, pasi partitë politike nuk kanë arritur kompromis për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Mospajtimet kryesore lidhen me votimin e diasporës, numrin e njësive zgjedhore dhe financimin e partive më të vogla, ndërsa vendi duhej t'i paraqiste Bashkimit Evropian raportin për reformat e realizuara, ku një nga prioritetet ishte pikërisht kjo reformë.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qeveria mbështet mundësinë që diaspora të votojë në mënyrë elektronike ose përmes postës, duke theksuar se, "qëllimi i qeverisë është ta rikthejë mërgatën më pranë vendit dhe kjo nuk mund të arrihet nëse qytetarëve u pamundësohet e drejta e votës". Ai akuzoi LSDM-në dhe Levicën se po e bllokojnë Kodin Zgjedhor nga frika e humbjes në zgjedhjet e ardhshme.
Nga ana tjetër, LSDM kundërshton votimin elektronik ose me postë pa mekanizma të fortë verifikimi, duke vlerësuar se një proces i tillë nuk garanton identitetin e votuesit dhe fshehtësinë e votës. "Nuk do të lejojmë grabitje zgjedhore dhe do ta mbrojmë votën e qytetarëve", deklaruan nga kjo parti.
Edhe Levica kundërshton propozimin e qeverisë, duke theksuar se votimi elektronik i diasporës nuk është rekomandim i ODIHR-it dhe se prioritet duhet të jetë krijimi i një njësie të vetme zgjedhore, një ide që, sipas saj, diskutohet prej vitesh.
Ndërkohë, BDI vazhdon të kërkojë një njësi zgjedhore me lista të hapura dhe prag zgjedhor prej 5 për qind, ndërsa Lidhja Shqiptare mbështet votimin e diasporës me postë ose elektronikisht, por kërkon që e njëjta procedurë të zbatohet edhe në zgjedhjet lokale.
Pas dështimit të bisedimeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Mickoski ka deklaruar se qeveria do të vazhdojë zbatimin e programit deri në vitin 2028, ndërsa opozita këmbëngul se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja për situatën aktuale politike.
Burimi: Deutsche Welle (DW)