Iso-polifonia shqiptare dhe tingujt e fyellit dyjar do të dëgjohen në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, duke shënuar një moment të rëndësishëm për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në një produksion të përmasave botërore. Lajmi është konfirmuar nga kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, i cili ka zbuluar se udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tinguj autentikë të muzikës tradicionale.
Në një intervistë për New York Magazine, Göransson është shprehur: “Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë këngësh të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film.” Ai ka treguar gjithashtu se regjistroi edhe tingujt e fyellit dyjar, instrument tradicional i përdorur prej shekujsh në trevat jugore shqiptare.
Iso-polifonia shqiptare është e shpallur nga UNESCO si Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Megjithatë, sipas sqarimeve të publikuara së fundmi nga kompozitori shqiptar Klodian Qafoku, polifonia shqiptare shfaqet në një sekuencë të shkurtër të filmit dhe nuk përbën bazën e të gjithë kolonës zanore, e cila është një krijim origjinal i Ludwig Göransson.