Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka kërkuar krijimin e kushteve më të lehta për votimin e diasporës, duke vlerësuar se rregullat aktuale në Kodin Zgjedhor nuk garantojnë trajtim të barabartë për qytetarët që jetojnë jashtë vendit. “Sipas Kushtetutës sonë, e drejta e zgjedhjes, si aktive ashtu edhe pasive, lidhet me shtetësinë. Është e pamundur t’i dërgojmë të gjithë në vendvotime, ndërsa votimi vetëm në konsullata dhe ambasada është i pamundur në disa vende. Atëherë duhet të gjenden zgjidhje, si votimi me postë apo votimi elektronik”, deklaroi Siljanovska-Davkova. Presidentja tha se diaspora aktualisht përballet me vështirësi në ushtrimin e të drejtës së votës dhe theksoi se çdo ndryshim duhet të bëhet përmes një procesi që garanton siguri dhe besueshmëri. Ajo përmendi edhe çështje të tjera të reformës zgjedhore, përfshirë një njësi zgjedhore dhe rregullimin e financimit dhe reklamimit politik. “Në lidhje me një njësi zgjedhore, mendoj se është një zgjidhje e mirë, ndërsa për çështjet e tjera duhet të arrihet konsensus. Ka shtete ku nuk ekziston reklamimi politik i paguar”, tha Siljanovska. Nga LSDM-ja reaguan duke kërkuar që presidentja të sqarojë më konkretisht shqetësimet lidhur me votimin elektronik. Zëdhënësja e kësaj partie, Bogdanka Kuzeska, deklaroi se VMRO-DPMNE-ja po kërkon justifikime për debatet rreth Kodit Zgjedhor. “Pikërisht VMRO-DPMNE-ja dhe Hristijan Mickoski janë ata që kërkojnë alibi. Krijojnë konflikt artificial rreth Kodit Zgjedhor për ta fshehur dështimin me Agjendën e Reformave dhe për ta bllokuar rrugën evropiane”, u shpreh Kuzeska. Nga VMRO-DPMNE-ja, përmes zëdhënësit Valentin Manasievski, thanë se partia në pushtet ka mbështetur kërkesat për lehtësimin e votimit të diasporës, duke akuzuar opozitën se e ka kundërshtuar këtë proces. “VMRO-DPMNE-ja si parti në pushtet ua pranon të gjitha kërkesat opozitarëve, vetëm që diaspora të mund të votojë më lehtë. Pikërisht këtë koalicioni i LSDM-së, Levicës dhe BDI-së e refuzoi”, deklaroi Manasievski. Debati për Kodin Zgjedhor vijon mes pushtetit dhe opozitës, ndërsa pas skadimit të afatit shtesë për miratimin e tij, Maqedonia e Veriut humbi 4.2 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian.