Agron Shehaj është përplasur me Gardën e Kuvendit, pasi është penguar të hyjë në sallën e seancës plenare, për shkak të masës së përjashtimit që, sipas tij, nuk është më në fuqi.
Deputeti pretendon se afati 30-ditor i përjashtimit ka përfunduar më 21 korrik dhe se, për këtë arsye, nuk ka më pengesë që ai të marrë pjesë në punimet e Kuvendit. Situata ka sjellë përplasje në ambientet e Kuvendit, ndërsa çështja është shoqëruar edhe me reagime nga deputetë të tjerë.
Deputeti Erald Kapri tha për mediat se është paraqitur edhe dokumentacioni përkatës për të argumentuar se masa e përjashtimit ka përfunduar. “Ne kemi sjellë urdhrin këtu, që kanë kaluar 30 ditë dhe ata nuk e lejojnë të hyjë”, u shpreh Kapri.
Nga ana tjetër, Shehaj këmbëngul se afati i masës së përjashtimit ka skaduar dhe se ndalimi i hyrjes së tij në sallën e punimeve nuk është i justifikuar. Përplasja me Gardën e Kuvendit ka ndodhur në një moment kur deputeti kërkonte të hynte në sallë për të marrë pjesë në seancë.