Fishkëllima e fundit e Botërorit 2026 shënoi jo vetëm përfundimin e turneut, por edhe mbylljen e kapitujve ndërkombëtarë për disa prej emrave më të njohur të futbollit botëror. Manuel Neuer, Neymar, Riyad Mahrez, Guillermo Ochoa dhe Patrik Schick i kanë dhënë fund aventurës me kombëtaret e tyre, ndërsa Didier Deschamps ka mbyllur periudhën e tij si trajner i Francës pas 14 vitesh në drejtim. Manuel Neuer largohet nga Gjermania si një prej portierëve që ndryshuan mënyrën e lojës në këtë pozicion. Kampioni i botës në vitin 2014, i njohur për daljet e guximshme nga zona dhe qetësinë me topin në këmbë, e mbylli karrierën ndërkombëtare me 128 paraqitje. Neymar, një nga figurat më të mëdha të Brazilit në epokën moderne, largohet me 130 ndeshje dhe 80 gola me fanellën e Seleçaos. Ai fitoi Kupën e Konfederatave dhe medaljen e artë olimpike, por nuk arriti të ngrejë trofeun e Botërorit. Riyad Mahrez mbetet një prej simboleve të futbollit algjerian. Kapiteni udhëhoqi kombëtaren drejt triumfit në Kupën e Afrikës në vitin 2019, ndërsa Guillermo Ochoa do të kujtohet si një prej portierëve më të spikatur të skenës së Botërorit, me pjesëmarrje në gjashtë edicione. Patrik Schick, ndërkohë, lë pas një moment të paharrueshëm të Euro 2020, kur realizoi një nga golat më spektakolarë të turneut ndaj Skocisë. Në Francë, Didier Deschamps mbyll një epokë të jashtëzakonshme, pasi e fitoi Kupën e Botës si lojtar në vitin 1998 dhe si trajner në vitin 2018. Me largimin e këtyre emrave, futbolli ndërkombëtar hyn në një fazë të re, ndërsa trashëgimia e tyre mbetet pjesë e historisë së kombëtareve që përfaqësuan. Burimi: tvklan.al