Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash, është i ftuari i sotëm i emisionit “Info Magazine” në Klan Kosova, ku pritet të flasë për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Në intervistën ekskluzive, Ulutash do të trajtojë vendimin e NATO-s për përshtatjen e pranisë së saj ushtarake në Kosovë, situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, zhvillimet përgjatë kufirit me Serbinë dhe sfidat që mund të ndikojnë në stabilitetin e Kosovës dhe rajonit. Një tjetër temë e intervistës pritet të jetë prania e KFOR-it në urën kryesore të Mitrovicës, si dhe roli i misionit paqeruajtës në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët. Ulutash, i cili është rikthyer në krye të KFOR-it në tetor të vitit 2025, do të flasë gjithashtu për përvojën e tij si komandant i parë që udhëheq për herë të dytë misionin e NATO-s në Kosovë. Intervista transmetohet sot nga ora 17:00 në “Info Magazine” të Klan Kosovës. /Klan Kosova