Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës „Çarshia“, në Çair është përuruar rruga që nga sot mban emrin e kompozitorit dhe artistit të njohur shqiptar, Avni Mula. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili e cilësoi këtë moment si një nderim të veçantë për një prej figurave të rëndësishme të muzikës shqiptare. „Sot është një ditë me simbolikë të veçantë. Në ditët kur Çairi po jeton me Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës ‘Çarshia’, nuk mund të kishte moment më të përshtatshëm për të përuruar rrugën që, nga sot, do të mbajë emrin e Avni Mulës“, është shprehur Mexhiti. Sipas tij, emërtimi i rrugës përbën një vlerësim për kontributin e Avni Mulës në zhvillimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare. „Avni Mula ishte një prej figurave themeluese të muzikës profesioniste shqiptare, një artist që me talentin, punën dhe vizionin e tij e ngriti artin shqiptar në një nivel të ri dhe la pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë edhe sot“, ka deklaruar ai. Në ceremoninë e përurimit ishte e pranishme edhe sopranoja me famë botërore, Inva Mula, vajza e Avni Mulës. Mexhiti vlerësoi praninë e saj, duke theksuar se ajo vijon të përfaqësojë kulturën shqiptare në skenat prestigjioze ndërkombëtare dhe të mbajë gjallë trashëgiminë artistike të familjes Mula.