Në kulmin e sezonit veror, hotelet përgjatë Liqenit të Ohrit po përballen me kapacitete të pashfrytëzuara. Hotelierët thonë se këtë vit po mbizotërojnë rezervimet e minutës së fundit dhe qëndrimet e shkurtra, ndërsa një situatë e tillë nuk është parë prej vitesh. “Zakonisht të huajt e dinë një vit më parë se ku dhe kur do t’i kalojnë pushimet. Këtë vit, për fat të keq, kemi një trend të minutës së fundit. Ndodh që kemi ditë shumë të dobëta dhe pastaj dy, tre ditë para mbërritjes, hoteli është plot. Fatkeqësisht, është një sezon i çuditshëm”, deklaroi Ana Jançeva, hotelierе nga Struga. Shqetësim për sektorin është edhe rënia e numrit të turistëve holandezë, ndërsa më e dobët paraqitet edhe prania e turistëve polakë që në të kaluarën vinin përmes fluturimeve çarter. “Pothuajse asnjë, përveç rezervimeve individuale, por ky nuk është një numër që mund të mbushë kapacitetet. Nuk mund të planifikosh me stafin ose njerëzit”, theksoi Jançeva. Si faktorë që mund të kenë ndikuar në këtë situatë përmenden rritja e çmimeve, kriza ekonomike dhe pasiguria ndërkombëtare. Nga sektori i turizmit, megjithatë, vlerësojnë se çmimet në Ohër janë të arsyeshme për një destinacion turistik.
“Nuk mund të themi se Ohri ka çmime të shtrenjta. Çmimet janë rritur dhe janë më të larta, por çfarë prisni ju nga restorantet buzë liqenit ose nga kafenetë që ndodhen në vijën e parë, praktikisht me këmbët në ujë?”, tha Jakim Malenko, punonjës në sektorin e turizmit. Përfaqësuesit e sektorit kërkojnë që shteti të hapë tregje të reja turistike, me synim mbushjen e kapaciteteve nga maji deri në tetor.