Një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mund të rikthejë në shqyrtim rastin e Dardan Krivaqës, pavarësisht se Gjykata Supreme e Kosovës, më 26 shkurt 2026, e kishte lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit. Kërkesa e mbrojtjes mund të shqyrtohet nga një kolegj tjetër i Supremes, në kuadër të mjeteve të jashtëzakonshme juridike. Avokati i Krivaqës, Skender Musa, ka konfirmuar se mbrojtja po përgatit një kërkesë të tillë, ndërsa për përmbajtjen e saj nuk ka dhënë detaje. Ndërkohë, avokatja Arbnora Shefkiu, e cila mbron Arbër Sejdiun, të dënuar me 15 vjet burgim, ka bërë të ditur se edhe në këtë rast është paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, e dorëzuar që në maj të vitit të kaluar. Sipas saj, kërkesa ende nuk është trajtuar nga Gjykata Supreme. Rasti po ndiqet me vëmendje edhe nga monitoruesit e sistemit të drejtësisë, të cilët vlerësojnë se këto procedura duhet të trajtohen me seriozitet të lartë. Vendimi i Supremes për Krivaqën u mor nga një kolegj i shkallës së tretë, i cili me shumicë votash refuzoi ankesën e mbrojtjes dhe konfirmoi vendimet e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe të Gjykatës së Apelit.