Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia” është përmbyllur me sukses pas katër netëve artistike që e shndërruan Çarshinë e Vjetër në një qendër të muzikës dhe kulturës. Kryetari i Komunës së Çairit vlerësoi se festivali solli artistë nga vende të ndryshme, të cilët interpretuan muzikë klasike, opera, serenata dhe krijime nga tradita të ndryshme muzikore, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh çdo mbrëmje. Sipas tij, “Çdo mbrëmje solli një përjetim të veçantë artistik, ndërsa i gjithë festivali u kurorëzua me një finale dinjitoze, duke përmbyllur me sukses edicionin e parë.” Ai theksoi se pas organizimit të suksesshëm të Panairit të Librit, edhe ky festival përbën një tjetër hap të rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore të qytetit, duke shtuar se, “Ky është një hap më shumë drejt vizionit që Shkupi të afirmohet si një qytet që jo vetëm ruan trashëgiminë e tij, por edhe krijon, kultivon dhe jeton kulturën çdo ditë.”