Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka publikuar listën preliminare me 13.227 persona të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë. Lista përfshin viktimat që kanë lindur, jetuar ose kanë pasur vendbanim në Kosovë dhe që janë prekur drejtpërdrejt nga ngjarjet e luftës.
Sipas të dhënave të Institutit, 11.408 persona kanë humbur jetën si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të luftës, përfshirë vrasje, ekzekutime, masakra, bombardime dhe forma të tjera të dhunës, ndërsa 1.047 prej tyre kanë qenë fëmijë. Po ashtu, 1.578 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur me dhunë, ndërsa 241 të tjerë kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve ose pasojave të drejtpërdrejta të luftës.
Drejtori i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, tha se lista është preliminare dhe do të përditësohet me avancimin e procesit të dokumentimit. Ai theksoi se, “Të dhënat tregojnë se gjatë kësaj periudhe janë vrarë 92.5 për qind e numrit të përgjithshëm të këtyre viktimave, respektivisht 12 mijë e 230 persona. Ndërsa në periudhën e pasluftës, nga 21 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2000, janë vrarë 997 persona”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë të rrisin presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave ushtarake, duke deklaruar, “E përsërisim thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë që të shtojnë trysninë ndaj Serbisë që të ndryshojë vendimin për klasifikimin 30-vjeçar deri në vitin 2044 dhe të hapet arkivi i Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, në mënyrë që të kemi informacione për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se gërmimet në varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut kanë vazhduar për të dytën ditë me radhë, ku janë gjetur mbetje mortore. Ekzistojnë dyshime se ato mund t’u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës të zhdukur në prill të vitit 1999, ndërsa për këtë rast ditë më parë janë arrestuar dy persona.